LDK: Administrata e Shpend Ahmetit po shantazhohet nga shërbimi i fshehtë i VV-së

E publikuar: 29/12/2015 12:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Grupi i anëtarëve të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës konsideron se viti 2015 ishte viti më i rëndë për qeverisjen, për ekzekutivin dhe kuvendin e kryeqytetit.
Grupi i anëtarëve të LDK-së thekson se vështirësitë kanë vazhduar gjatë gjithë vitit 2015, si pasojë e sjelljeve të përjashtuese të kryetarit të komunës, Shpend Ahmeti ndaj Kuvendit dhe shumicës parlamentare të tij.

“I tërë dështimi qeverisës dhe politik i Shpend Ahmetit konsiston në dështimet e tij të njëpasnjëshme të cilat dalin nga tri anë: nga ana administrative, nga ana politike dhe nga ana zhvillimore ekonomike dhe financiare”, thuhet në njoftim.

Sipas LDK-së, administrata e Shpend Ahmetit po kontrollohet dhe shpeshherë shantazhohet nga shërbimi i fshehtë VV.

“Administrata e komunës nën udhëheqjen e Shpend Ahmetit është bërë komunë e frikshme, me njerëz që kryejnë detyra të fshehta të shërbimit të VV, me drejtorë të armatosur. Shpend Ahmeti, me veprime sipas urdhrave të zyrave politike të VV, dështoi me punësimin në komunë. Ai solli militantë politikë nëpër zyre në pozita të dyshimta, duke e politizuar dhe monopolizuar me veprime antiligjore”, thuhet në njoftim.

Sipas LDK-së, Shpend Ahemti solli militantë politikë në sallën e Kuvendit për të sulmuar anëtarët e Kuvendit, që administrativisht del e përgatitur e politikisht e shëmtuar dhe me imazhe krimi.

“Kryetari i komunës dështoi me Ndërmarrjet publike, sepse njerëzit e tij shkelën ligjin në shkarkime dhe në emërime të paligjshme të bordeve. Shpendi dhe VV emëruan njerëz në borde që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe janë militantë politikë partiakë”, thuhet në njoftim.

Sipas LDK-së, kryetari i Prishtinës dështoi në realizimin e konkurseve për udhëheqës arsimorë dhe për mësimdhënës.

Grupi i LDK-së në Prishtinë konsideron se është e papranueshme që aktivistë-militantë politikë të VV, që kanë kontratë mbi vepër, të kenë detyra të caktuara militante-partiake në Komunë.