Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar pas incidentit të sotëm, ku një pjesë e kompanisë “Comodita Home” në Gjakovë u përfshi nga zjarri.
Në reagimin e saj, LBK e ka cilësuar këtë ngjarje si një goditje të rëndë për industrinë prodhuese të Kosovës dhe për ekonominë e vendit, duke thënë se pasojat e saj prekin drejtpërdrejt mijëra punëtorë, familjet e tyre, qytetin e Gjakovës dhe gjithë zinxhirin ekonomik që varet nga kjo ndërmarrje.
“Comodita është një shtyllë e prodhimit vendor dhe një histori suksesi kosovare, e ndërtuar me punë dhe sakrificë ndër vite. Çdo dëm i shkaktuar në këtë kompani është dëm për ekonominë e Kosovës dhe për prodhimin vendor”, shkruhet në reagimin e tyre.
LBK ka shprehur solidaritet të plotë po ashtuu me pronarin e kompanisë, Shkëlqim Devolli, me menaxhmentin dhe punëtorët e Comoditës, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës, institucionet përgjegjëse dhe pushteti lokal.
“Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh solidaritet të plotë me pronarin z. Shkelqim Devolli, menaxhmentin, punëtorët e Comoditës dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet përgjegjëse dhe pushteti lokal, përmes mbështetjes institucionale, financiare dhe administrative, me qëllim rimëkëmbjen sa më të shpejtë dhe ruajtjen e vendeve të punës. Në momente të tilla, shteti duhet të qëndrojë fuqishëm përkrah prodhuesve vendorë. Mbrojtja e industrisë është mbrojtje e punëtorit, e familjes dhe e ekonomisë kombëtare. Urojmë që dëmet të jenë sa më të vogla dhe që Comodita të ringrihet shpejt, më e fortë se më parë. Prodhimi vendor nuk guxon të lihet vetëm në ditë të vështira”, shkroi LBK.



















