Rritjen e pagave të qeveritarëve dhe këshilltarëve dhe emërimi i gati 100 zëvendësministrave Lëvizja për Bashkim i ka konsideruar si dy prej shumë vendimeve skandaloze që qeveria e Ramush Haradinajt i mori gjatë një viti.
Sipas LB-së, këto dy vendime tregojnë thelbin dhe mentalitetin klientelist me elemente korrupsioni të qeverisë Haradinaj.
“Në fakt, këto dy vendime tregojnë thelbin dhe mentalitetin e kësaj qeverie. Të dyja këto, në vetvete, janë pjesë e mentaliteti klientelist me elemente korrupsioni, sepse, me para të buxhetit të Republikës së Kosovës blihen shërbime të njerëzve për nevoja partiake. Duke qenë dy vendime të papërgjegjshme, arrogante e klienteliste, ato paraqesin edhe frymëzim për korrupsionin në të gjitha njësitë e tjera buxhetore”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes për Bashkim.
“Logjika e papërgjegjësisë së kësaj qeverie dëshmohet edhe përmes qasjes krejtësisht joracionale ndaj skandalit të veteranëve të rrejshëm, krijimit të pasqaruar ndonjëherë të obligimit ndaj kompanisë Bechtel-Enka, prej rreth 53 milion eurosh, si dhe shumë vendimeve ad-hoc të cilat kanë implikime të paplanifikuara financiare për buxhetin e shtetit”, thuhet më tej.
Lëvizja për Bashkim thekson se qeveria e Haradinajt ka dëshmuar mungesë të gatishmërisë për ushtrimin e kompetencës në lidhje me dialogun me Serbinë.
“Sa i përket aspektit politik, sidomos kur është në pyetje dialogu me Serbinë, kjo qeveri ka dëshmuar mungesë totale të gatishmërisë për ushtrimin e kompetencës. Ajo, në momentet vendimtare për të ardhmen e vendit ka zgjedhur të shmanget nga përgjegjësitë e veta politike, me arsyetime të vetë Kryeministrit, se nuk ka kohë për negociata sepse është i zënë me obligime të tjera shtetërore”, thuhet në komunikatë.
Lëvizja për Bashkim konsideron se vendi nuk është në pozicion të tillë që të mund të përballojë sjellje të tilla të papërgjegjshme nga ana e qeverisë aktuale.
“Ne vlerësojmë se dialogu me Serbinë është procesi më i rëndësishëm për Kosovën, për qeverinë dhe të gjitha institucionet e vendit. Duke pasur parasysh situatën vendimtare politike, vlerësojmë se vendit i duhet urgjentisht një qeveri uniteti, e cila do të merrte përsipër obligimet e veta kushtetuese ndaj qytetarëve të saj; do të përgatiste një platformë konsensuale për bisedimet me Serbinë dhe do t’i udhëhiqte ato; do të realizonte reformën zgjedhore dhe do ta përgatiste vendin për zgjedhjet e reja parlamentare”.


















