Play-Off-i i Championsit është kthyer në tabu për skuadrat italiane, pas Napolit një vit më parë, edhe Lazio nuk ia doli të avanconte në fazën e grupeveve të Championsit, pasi aty shkon Leverkusen që pas disfatës 1-0 të pësuar në “Olimpico” përmbysi gjithçka në Gjermani duke fituar pastër 3-0. Calhanoglu, Admir Mehmedi dhe Bellarabi ndëshkuan portën e Etrit Berishës me Lazion që tanimë vazhdon aventurën në grupet e Europa League. Për sa i përket ndeshjeve të tjera protagonist i mbrëmjes ishte Wayne Rooney që udhëhoqi Manchester United në transfertën ndaj Brugge me një tregolësh në fitoren 4-0 të Djajve të Kuq që kalojnë në grupet e Champions me rezultatin e përgjithshëm 7-1.
Bashkë me Manchester United avancon dhe CSKA e Moskës që mposhti 3-1 Sportingun e Lisbonës, me Doumbia që shënoi dy gola, 4-3 rezultati i të dyja ndeshjeve në favor të rusëve. Në fazën e grupeve të Championsit rikthehet sërish Bate Borisov që eliminoi Partizanin e Beogradit, bjellorusët u mundën 2-1 në kryeqytetin serb por avancuan falë rregullit të golit në fushë kundërshtare pasi kishin fituar 1-0 në shtëpi.
Kualifikim historik për Astanan, kazakët barazuan 1-1 me Apoel Nicosian në Qipro dhe debutojnë për herë të parë në grupet e Championsit falë fitores 1-0 që kishin siguruar në shtëpi.