Lazio rilind në transfertën e Genoas, aty ku shumë muaj më parë mbrojtësi Gentiletti pësoi një dëmtim të rëndë, ndërsa tashmë kur duhen edhe tre javë nga fundi, argjentinasi i jep fitoren skuadrës bardhekaltër ndaj Sampdorias. Me këtë fitore, Lazio rikthehet në vendin e dytë në dëm të Romës që të Dielën pret Udinesen në “Olimpico”. Miqtë e nisën ndeshjen me një futboll ofensiv por rastin e vërtetë e regjistruan në minutën e 30. Sampdoria u kundërpërgjigj me Sorianon vetëm pak sekonda më pas.
Sampdoria shpërdoroi një tjetër rast në minutën e 45 kur Obiang i vetëm në zonë u hipnotizua nga Berisha duke e nxjerrë topin jashtë. Me rikthimin në fushë, Eto’o gaboi një tjetër gol të pabesueshëm në minutën e 48, por kjo ishte pika e kthesës për një ndeshje ku në vazhdim Lazio do të shpërdoronte pafundësisht edhe pse Gentiletti në të 53-ën vendosi gjurin në golin që i jep Lazios 3 pikë të vlefshme në garën për një biletë në zonën UEFA Champions League. Gjatë minutave në vazhdim Candreva, Felipe Anderson dhe Djordjevic kishin në këmbët e tyre golin e dytë por nuk arritën ta vulosnin fitoren, duke pritur minutën e fundit për të zyrtarizuar tre pikët që u japin një sinjal të rëndësishëm kushërinjve nga i njëjti qytet. Fitorja e fundit e Sampdorias ndaj Lazios daton 5 vjet më parë, ndërsa Mihajlovic nuk arrin të marrë 3 pikë në “Marassi” që prej 3 ndeshjesh.