Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka mbajtur një ligjeratë në Akademinë Diplomatike të Vjenës, ku temë ishte “Transformimi i Sistemit Shëndetësor në Vendet Pas Konfliktitk”.
Gjatë kësaj ligjërate, Latifi tha se objekti i tij ishte dhe është rindërtimi i sistemit shëndetësor të Kosovës.
“Shumë faktorë janë përgjegjës për mungesën e transformimit. Ndër ta është korrupsioni i gjithëpërhapur, mungesa e vizionit politik, mungesa e ekspertizës dhe dijes solide dhe si të transformohet sistemi shëndetësor”, tha Latifi, transmeton Klankosova.tv.
Latifi, tutje foli edhe për ndikimin e konfliktit në sistemin e kujdesit shëndetësor, ku përmendi shkatërrimin e objekteve, ndërprerjen e shërbimeve shëndetësore dhe ikjen e trurit të profesionistëve shëndetësorë.
“Si themelues i Telemjekësisë, fillimisht në Kosovë mandej në Shqipëri dhe në Afrikë, ai përmendi edhe këtë faktor shumë të rëndësishëm, sidomos në kuptimin se si mundet telemjekësia dhe e-shëndeti të transformojnë kujdesin shëndetësor në vendet e tjera”.
“Kurse, sa i përket procesit të ndërtimit, Prof. Dr. Latifi veçoi ndërtimin e infrastrukturës, ndërtimin e rrjetit dhe komunikimit, të Telemjekësisë dhe të e-shëndetit, përderisa si shumë të domosdoshme ai përmendi edhe programin arsimor dhe krijimin e kapaciteteve njerëzore për të siguruar qëndrueshmërinë, bashkëpunimin rajonal dhe atë ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.
















