Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se nëse ish-ministri i këtij dikasteri, Arben Vitia, ka bërë shkelje të ligjit, atëherë me të duhet të merren organet e drejtësisë.Latifi iu përgjigj pyetjes së deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.
Haxhiu pretendon se ish-ministri Vitia është punësuar si drejtor i spitalit “Olive” dhe merr një pagë të majme prej pesë mijë eurosh. Sipas deputetit të PDK-së, ky veprim është konflikt interesi, pasi ky spital ishte licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për teste PCR.
“Është fare e qartë se kjo pyetje është jashtë kompetencave të mia. Nëse ka pasur shkelje të ligjit, do të merren organet e drejtësisë. Unë mendoj që çdo qytetar ka të drejtë të punojë aty ku dëshiron, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat”, ka thënë Latifi në Kuvend.