Largohet nga puna zyrtari i dënuar për keqpërdorim të pozitës

E publikuar: 29/04/2017 10:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, ka marrë vendim mbi përfundimin e marrëdhënies së punës të zyrtarit komunal H.H., për shkak se ky i fundit është dënuar nga gjyqësori me 8 muaj burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Dënimi ndaj zyrtarit në fjalë fillimisht ishte shpallur nga Gjykata Themelore e Gjakovës, ndërkohë që ka marrë formën e prerë pas konfirmimit nga Gjykata e Apelit, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas përfundimeve të gjyqësorit, H.H. me mjetet e buxhetit të Komunës së Rahovecit kishte paguar faturat e rrymës së dy banesave, njëra prej të cilave rezulton të jetë e tij, ndërkohë që tjetrën e ka pasur në shfrytëzim.

Bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të konfirmuar edhe nga Apeli, kryetari Vehapi ka nxjerrë vendimin për largimin nga puna të zyrtarit të dënuar.