Është lansuar sot protokolli shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, ku kryeministri Albin Kurti ka thënë se jo rrallëherë sistemi i drejtësisë ka pësuar nga brishtësia e vet.
Sipas tij, kryerësit e veprave duhet të marrin dënime meritore dhe se kjo është betejë që u takon të gjithëve.
Kreu i ekzekutivit tha se protokolli i lansuar sot përfshin të gjitha detyrimet për mbrojtjen e menjëhershme të viktimës.
“Marrjen e pëlqimit të informuar, ofrimin e përkthyesve, të shenjave në rast nevoje, ofrimin e infrastrukturës së nevojshme, ofrimin e shërbimeve të profesionistëve të së njëjtës gjini të viktimës dhe shmangien e intervistave të shumëfishta të lodhshme”, tha Kurti.
Me miratimin e këtij protokolli, shefi i ekzekutivit theksoi se përpilimi i protokollit mundëson dhe lehtëson punën për ta eliminuar dhunën seksuale ndaj grave.
“E rëndësishme është që pavarësisht se cili institucion merr vesh i pari i rastit, trajton rastin. Nuk mund të lejohen papërgjegjësi të tilla ku institucionet i hedhin njëra-tjetrës fajin. Shpeshherë në rastet e paraqitura, institucionet nuk i kanë kryer e zbatuar obligimet ligjore. Në raste të këtilla, dhunuesit dhe abuzuesit nuk i kanë marrë dënimet e merituara”, ka thënë Kurti.
Kurti shtoi se viktimave u takon përkrahja institucionale, shëndetësore e psikologjike.