Lansohet Programi i Bashkëpunimit Zviceran për Kosovën 2022–2025, Zvicra do ta mbështesë Kosovën me 86 milionë euro

E publikuar: 13/05/2022 15:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zvicra do të ndajë 86 milionë euro për katër vitet e ardhshme për Kosovën me qëllim të mbështetjes së projekteve në tri fusha kryesore: Qeverisjen Demokratike dhe Paqen; Zhvillimin e Qëndrueshëm Ekonomik dhe Ndryshimet Klimatike, Ujin dhe Shëndetësinë.

Kjo u bë e ditur lansimit të Programit të ri të Bashkëpunimit Zviceran për Kosovën për vitet 2022-2025, në një ngjarje mbajtur në Prishtinë, ku merrnin pjesë përfaqësuesit e Ambasadës Zvicerane, të SDC-së, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, partnerët dhe përfituesit, raporton Ekonomia Online.

Aambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, tha se mbështetja e Zvicrës ka qenë gjithmonë e nxitur nga përkushtimi për t’u ndihmuar qytetarëve të Kosovës dhe vendit që të ecin përpara.

“Kosova është bërë partner i Zvicrës dhe mendojmë që të vazhdojmë këtë miqësi, miqësi që kemi jo vetëm në aspektin e futbollit, por edhe në sfera të tjera”, deklaroi ambasadori Kolly.

Ruth Huber, zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe udhëheqëse e Departamentit për Bashkëpunim me Evropën Lindore, përmendi disa nga kotributet kryesore të Zvicrës.

“Përpjekjet e përbashkëta të Zvicrës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, ndër të tjera, kanë kontribuar që: Më shumë se 600,000 qytetarë të përfitojnë nga qasja e përmirësuar në ujë në zonat rurale; Më shumë se 630,000 qytetarë të kenë qasje në shërbime më të mira komunale; Rreth 10,000 qytetarë të gjejnë punë; Mbi një milion qytetarë, pra më shumë se gjysma e gjithë popullsisë së Kosovës, ta përmirësojnë shëndetin e tyre duke u informuar më mirë se si të parandalohen sëmundjet kronike”.

“Historia na ka bashkuar, po i referohem këtu diasporës ata që janë në Zvicër të cilët i kemi pranuar gjatë vitit 99-të. Programi të cilin sot e kemi lansuar është shumë i rëndësishëm dhe do të jetë një progres për Kosovën në tri fusha, ujin, ekonominë dhe demokracinë”.

“Prioriteti ynë mbetet luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe në zgjidhjen e një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. Agresioni Rus në Ukrainë na ka treguar sa e rëndësishme është demokracia”, theksoi Huber.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka falënderuar shteti zviceran për ndihën e ofruar ndër vite.

Aliu theksoi se rrugëtimi historik ndërmjet të dy vendeve ka nisur shumë vite më parë dhe përfshin marrëdhëniet ekonomike, politike, shoqërore e njerëzore.

‘’Këto marrëdhënie miqësore mes dy popujve sot janë më solide e më të fuqishme se kurrë më parë. Zvicra mbetet partneri i tretë më i madh i Kosovës për bashkëpunim dypalësh dhe investitori i dytë më i madh i huaj dhe ky program i ri do e ndihmojë edhe më shumë Kosovën dhe popullin tonë për forcimin e demokracisë, për zhvillimin e ekonomisë dhe për rritjen e mirëqenies’’ deklaroi Aliu.

“Jemi mirënjohës për ndihmën humanitare që shteti zviceran i ka dhënë Kosovës që nga viti 1998, duke u bazuar në marrëdhëniet e ngushta po shënojmë partneritet për vitet e ardhshme 2022-2025”.

“Zvicra mbetet partneri i madh i Kosovës dhe investitori i dytë më i madh i huaj që do të ndihmoj Kosovën. Si miq tanë për gjithë kontributin e dhënë do të vazhdojmë të punojmë me këtë përkushtim e energjinë për Kosovën që të gjithë e duan”, tha Aliu.

Programi i Bashkëpunimit Zviceran për Kosovën 2022-2025 thekson interesin reciprok të Zvicrës dhe Kosovës për ruajtjen estabilitetit dhe nxitjen e prosperitetit në Kosovë, duke marrë parasysh sfidat e reja. I bazuar në përvojën e Zvicrës dhe në përputhje me prioritetet e përcaktuara nga Qeveria e Kosovës, Programi do t’i mbështesë tri fusha kryesore: Qeverisjen Demokratike dhe Paqen; Zhvillimin e Qëndrueshëm Ekonomik dhe Ndryshimet Klimatike, Ujin dhe Shëndetësinë.

Programi është zhvilluar me një qasje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Sekretariatin Shtetëror të FDFA-së për Paqe dhe të Drejta të Njeriut, Sekretariatin Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO) dhe Sekretariatin Shtetëror për Migracion (SEM).