Charters Towers është një qytezë shumë e qetë në Australi, me përjashtim të rasteve kur ajo pushtohet nga lakuriqët e natës. Një mizëri prej më shumë se 200 000 dhelprash fluturuese, siç quhen nga banorët, kanë mbuluar qytezën e vogël duke shkaktuar mjaft pakënaqësi tek rezidentët.
Këta të fundit thonë se në të shkuarën në qytezë kanë mbërritur tufa lakuriqësh nate, por kurrë me proporcione të tilla. Me mijëra dollarë janë shpenzuar nga autoritetet më parë, për të larguar dhelprat fluturuese nga qyteti, përmes zhurmës së helikopterëve, tymit apo të shtënave, por sa herë që kthehen, ato janë më shumë.
Ekspertët sigurojnë se nuk ka thuajse asnjë rrezik për shëndetin e njerëzve, por e kuptojnë shqetësimin e banorëve që e kanë të vështirë edhe të dalin nga shtëpitë, pasi gjithçka është e mbuluar nga jashtëqitjet e ‘ushtrisë’ së natës.
Shumë vende publike si biblioteka apo pishinat janë mbyllur dhe banorët thonë se nuk durojnë dot më lakuriqë nate që shfaqen kur duan, transmeton tch. Sipas zoologëve, lakuriqët e natës duhen lënë të qetë që të ushqehen me lulet e eukalipteve, që janë me bollëk aty dhe pastaj do të ikin, por banorët thonë se duhet gjetur një zgjidhje finale për ta, pasi vizitat nga minjtë me krahë janë bërë vërtetë të bezdisshme.