Aprovohet rezoluta për pranimin e Kosovës n’UNESCO

E publikuar: 21/10/2015 17:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bordi ekzekutiv i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ka votuar në favor të kërkesës për ta pranuar Republikën e Kosovës në anëtarësinë e kësaj organizate.

Draft-rezoluta për rekomandimin për pranimin e Kosovës si anëtare më të re në UNESCO, ishte pika 43 e diskutimit në Bordin ekzekutiv.

Beogradi zyrtar ka kundërshtuar ashpër anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke thënë se “Kishat dhe manastiret serbe në Kosovë i takojnë trashëgimisë dhe pronës së Kishës Ortodokse serbe dhe çdo rrëmbim i kësaj trashëgimie do të ishte cenim real i ekzistimit të objekteve më të rëndësishme fetare, kulturore e historike të popullit serb”.

Votimi i sotëm për Kosovën, e çon çështjen në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, e cila mbahet prej 3 deri më 18 nëntor.

Konferenca e përgjithshme UNESCO-s përbëhet nga 195 vende anëtare dhe për vendimin pozitiv për Kosovën, që do të ishte përfundimtar për pranimin në UNESCO, nevojiten dy të tretat e votave.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes rrjetit social Twitter ka bërë të ditur se rekomandimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO është miratuar me 27 vota për, 14 kundër dhe 14 abstenime.