LAJMI I FUNDIT: Isa Mustafës i dështon nëndega, nga ku duhet të nis rrugëtimin për kryetar partie

E publikuar: 14/04/2015 23:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Liderit aktual të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe njëherit kryeministrit të vendit, Isa Mustafës duket se po i shkon keq që në start. Mustafës gjatë ditës së sotme i ka dështuar kuvendi i nëndegës në Tophane, nga ku ai do të duhej të fillonte rrugëtimin për të marrë edhe për një mandat nën udhëheqje partinë e dytë më të madhe në vend. Lajmin e kanë bërë të ditur, burime të Gazetës Blic brenda LDK-së.

Sipas këtyre burimeve, një numër i madh i delegatëve kanë qenë të pakënaqur nga grupi i Isa Mustafës, që i ka heq nga lista e anëtarëve me të drejtë vote.

“Kanë provuar që të kontrollojnë 100% procesin, dhe për këtë arsye ka pasur edhe rebelime dhe pakënaqësi të shumta. Madje, për pak sa nuk ka ardhur deri te eskalimi i situatës”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic.

Gjithnjë sipas këtij burimi, si pasojë e kësaj ka ardhur deri te shtyrja e mbajtjes së kuvendit zgjedhor në këtë nëndegë, në afat të pacaktuar.

Sipas statutit të LDK-së një kandidatë që të ketë të drejtë që të kandidoj për kryetar të LDK-së, fillimisht duhet të zgjedhet delegat në nëndegë, pastaj në degë, dhe tek atëherë fillon të drejtën që të kandidohet në Kuvend Qendror.

Gazeta Blic ka provuar zyrtarisht të flas me zyrtarë të LDK-së, mirëpo askush nuk ka pranuar të flas për këtë çështje.

Ndërkohë, gjatë ditës Gazeta Blic ka raportuar se njeri më i afërt i Isa Mustafës, Avdullah Hoti është kthyer në degë. Ai merret vesh se do të kandidoj për kryetar të kësaj në Rahovec, nga frika që udhëheqësia aktuale e degës po e përkrah Vjosa Osmanin për kryetare të LDK-së.

Edhe më herët është raportuar se Isa Mustafa qëllimisht po e zvarrit procesin e emërimit të zëvendësministrave dhe të posteve të tjera të rëndësishme ekzekutive, vetëm e vetëm që të menaxhoj procesin e brendshëm zgjedhor, dhe kësisoj ta marrë partinë edhe për nja mandat.

Sipas burimeve të Gazetës, Mustafa po u premton vende pune atyre që s’janë të punësuar, ndërkohë që po i kërcënon ata që janë nëpër pozicione, nëse nuk do ta mbështesin atë për kryetar të LDK-së. Pos Isa Mustafës e Vjosa Osmanit, nuk përjashtohet që garës për të parin e LDK-së t’i nënshtrohet edhe ish- presidenti Fatmir Sejdiu./Gazeta Blic