Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka vizituar sot Komunën e Mitrovicës së Veriut, me ç’rast është pritur nga kryetari i kësaj komune Goran Rakiq dhe Adriana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative të Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Ata bashkërisht e vizituan objektin ku do të vendoset Prokuroria Themelore dhe Gjykata Themelore për pjesën veriore, për t’i parë nga afër përgatitjet që janë duke u bërë dhe të dyja palët u dakorduan për përshpejtimin e punëve që objekti të jetë funksional në afatin optimal.
Ministri Kuçi dhe Rakiq e kanë vlerësuar të rëndësishëm implementimin e plotë të pikave të Marrëveshjes për Drejtësinë, të arritur në Bruksel, e cila garanton sistemin unik të drejtësisë në Kosovë dhe ofron drejtësi për të gjithë qytetarët. Ministri Hajredin Kuçi ka thënë se politika integruese është e vetmja politikë që garanton integrimin dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të asaj pjese të Kosovës.
Gjatë vizitës në Mitrovicën e Veriut, ministri Kuçi i shoqëruar edhe nga zëvendësshefja e misionit të EULEX-it, Joelle Vachter, ka vizituar edhe Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicën e Veriut, ku është pritur nga drejtori Milan Radojeviq. Kuçi e ka vlerësuar këtë institucion si shembull shumë të mirë të integrimit dhe profesionalizmit. Ai e ka përgëzuar drejtorin për lidershipin e treguar dhe i ka ofruar mbështetjen e vazhdueshme për këtë institucion.
Ministri Kuçi ka theksuar se shumë shpejt do të fillojë punën Gjykata Themelore në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila do të ketë efektet e saj pozitive edhe për Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, sepse nuk mund të ketë drejtësi funksionale pa gjykata dhe shërbim korrektues funksional.
Vizita e sotme e Ministrit Kuçi në Mitrovicën e Veriut është pjesë e angazhimit dhe përkushtimit të tij dhe të Ministrisë së Drejtësisë për të funksionalizuar të gjitha strukturat e sistemit unik të drejtësisë së Kosovës në gjithë territorin e saj.