Lajme të mira nga Vllaznia, përmirësohet gjendja e Gurishtës

E publikuar: 26/04/2016 20:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Marrin fund momentet e ankthit për gjendjen shëndetësore të mbrojtësit 20-vjeçar të Vllaznisë, Erdenis Gurishta, i cili mori një goditje në kokë gjatë sekondave të fundit në ndeshjen kundër Laçit. Lojtari u transportua në spital në gjendje koma duke krijuar ankth dhe frike per jeten e tij por pas momenteve vertet te rende, gjendja e tij u stabilizua. Sipas bluzave të bardha dhe stafit mjekësor të Vllaznisë, 20-vjeçari e kaloi momentin e vështirë pasi arrin të reagojë dhe të japë sinjale pozitive, duke i kaluar momentet delikate që i shkaktoi dëmtimi në kokë. Mjeku i klubit të Vllaznisë, Ilirian Haxhija njoftoi për mediat situatën e stabilizuar të lojtarit.

Ilirian Haxhija: “E transportuam me shpejtësi në spital. Të gjithë mjeket janë të angazhuar. Gjendja duket e stabilizuar. Nën kujdesin e mjekëve lojtari do të qëndrojë në Shkodër. Gjendja është në përmirësim por duhet të presim orët në vazhdim. Bëhet fjalë për një traumë në kokë dhe mjekimi i specializuar në spitalin e Shkodrës rezultuan të suksesshme”.

Përplasja mes Gurishtës dhe Nimanit ndodhi në minutën e tretë shtesë të ndeshjes së luajtur në “Reshit Rusi” kur mesfushori i skuadrës kurbinase ngriti takën në mënyrë të paqëllimshme, madje arriti të evitonte një përplasje më të fortë me kokën e mbrojtësit 20 vjeçar. Interesant eshte fakti se Nimani e kuptoi menjëherë rëndësinë e situatës duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të mjekëve në fushën e lojës.

Nga pamjet e transmetuara në Supersport duket qartë që lojtari humbi ndjenjat në fushën e lojës dhe u desh futja e ambulancës në fushën e lojës për ta transportuar në spital. Duke parë gjendjen e rënduar të mbrojtësit, mjekët kryen një skaner ku nuk u evidentua asnjë problem dhe me kalimin e minutave lojtari dha shenja pozitive dhe mjekët vendosën që ai të vazhdojë kurimin në Spitalin e Shkodrës edhe pse një helikopter i nisur nga Tirana për ndihmë më të specializuar në “Spitalin e Traumës” u ul në qytetin verior për të bërë të mundur transportimin ne cdo rast. Vllaznia barazoi ne fushen e lojes, por Gurishta arriti te fitonte betejen me te rendesishme, ate per jeten.