Lajçaku njofton se u takua me zyrtaren e lartë të OKB-së: Folëm për dialogun

E publikuar: 09/01/2025 08:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është takuar dje në New York me nënsekretaren e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Çështje Politike dhe të Ndërtimit të paqes, Rosemary DiCarlo.

Lajçak tha se me të foli për dialogun e Ballkanin Perëndimor.

“Folëm për Ballkanin Perëndimor, zhvillimet rajonale dhe dialogun”, ka shkruar Lajçak në X.

Në dy ditët e fundit, Lajçak është takuar edhe me James O’Brien dhe Aleksander Kasanof.

Ai tha se kanë pasur një diskutim gjithpërfshirës për Ballkanin Perëndimor, teksa ka shtuar se është krenar për bashkëpunimin mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara gjatë mandatit të tij.

Kujtojmë se Lajçakut i përfundon mandati më 31 janar. Nga BE kanë deklaruar se procesi i përzgjedhjes së pasuesit të tij po zhvillohet. Dy emrat e përfolur për këtë pozitë janë Peter Sorensen, dhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto

Zëdhënësja e BE’së, Anitta Hipper, ka thënë do të ofrohen përditësime për zhvillimet.

“Mandati i të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, mbetet në fuqi deri në fund të janarit. Procesi i përzgjedhjes së pasuesit të tij aktualisht është duke u zhvilluar dhe ne do të ofrojmë përditësime në kohën e duhur”, ka deklaruar Hipper.