I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për herë të parë për takimi e fundit në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleskandar Vuçiq.
Lajçak tha se takimi nuk ishte i kotë, teksa shtoi se ka arsye ta shoh pozitivisht atë pasi të dy palët diskutuan për herë të parë për qëllimin përfundimtar, një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
“Ishte një rund shumë i ndryshëm. Ne patëm një diskutim shumë profesional, të fokusuar dhe me respekt, por ata nuk u grindën, ata respektuan vizionet që kishte secili dhe ishin të vetëdijshëm për dallimet”.
“Atmosfera në këtë takim ishte shumë më e mirë, sa mund të them. Asnjëherë nuk është një parim merre-ose-lëre, por është profesional dhe ne gjithmonë kemi propozime që i vendosim në tryezë”, u shpreh Lajçak për BBC në gjuhën serbe, transmeton Klankosova.tv.
Për sa i përket çështjes së reciprocitetit për targa dhe letërnjoftime, Lajçak tha se kjo është aktualisht çështja më e rëndësishme për shkak të urgjencës së afatit që po afron.
“Unë mund të imagjinoj çdo situatë, duke përfshirë që të dyja palët të ndalojnë lëshimin e dokumenteve të tilla, por edhe skenarë shumë më të keq – ne duam t’i shmangim ato gjithashtu”.
“Ne kemi disa propozime, por sigurisht që nuk do ta ndihmonte situatën nëse flasim për to publikisht, ndërsa ne jemi ende duke i diskutuar ato”.