Lajçak: Situata në Ballkanin Perëndimor është shumë më e keqe se pesë vjet më parë

E publikuar: 07/10/2022 23:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se situata në Ballkanin Perëndimor është “shumë më e keqe” sesa që ishte pesë vjet më parë.

Lajçak vlerësoi se edhe bashkëpunimi rajonal është më i keq sesa atëherë, duke shtuar se të gjithë treguesit tregojnë se vendosmëria dhe përkushtimi ndaj reformave që do t’i afronin me BE-në sot janë më pak të pranishme.

“Edhe unë mbaj përgjegjësi. Nuk bëhet fjalë për faj, kjo është vetëm një vëzhgim. Lufta në Ukrainë ka ndryshuar shumë gjëra, rregullat, rendin botëror. Ka një gjë shumë të mirë, dhe ajo është se ka një zgjim në BE”, tha emisari evropian, shkruan televizioni shtetëror malazez (RTCG).

Lajçak, që këto deklarata i bëri në forumin 2BS që po mbahet në Budva të Malit të Zi, tha se kriteret politike janë po aq të rëndësishme sa ato teknike.

“Rajoni nuk është në një gjendje të mirë dhe BE-ja dëshiron të tregojë se ne jemi seriozë dhe duam të tregojmë një shembull pozitiv të Ballkanit Perëndimor. Këshilla ime e sinqertë për rajonin – le të mendojmë më pak se çfarë dëshiron BE-ja dhe të fokusohemi në përmbushjen e detyrave tona”.

Diplomati sllovak gjithashtu theksoi se anëtarësimi në BE nuk është dhuratë.

“Duhet të ndërtoni standarde evropiane në vendet tuaja, por edhe të zgjidhni çështjet dypalëshe”./Klankosova.tv