Dialogu Kosovë-Serbi do të jetë një nga pikat që do të diskutohet sot në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian.
I dërguar i Posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak do t’u raportojë ministrave të vendeve anëtare për ecurinë e dialogut dhe problemet në të cilat ka hasur deri më tani.
Po ashtu, në këtë mbledhje do të diskutohet edhe për sanksionet e mundshme ndaj Rusisë për rolin e saj në helmimin e politikanit të opozitës, Aleksei Navalny dhe situata në Bjellorusi.
Në lidhje me helmimin e liderit opozitar rus Navalny, Franca dhe Gjermania javën e kaluar paraqitën propozime për të vendosur sanksionet ndaj individëve rusë, përgjegjës për helmimin e tij dhe ndaj një njësie të përfshirë në programin që prodhon një agjent nervor nga grupi Noviçok.
Propozimi i sanksioneve erdhi pasi Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), më 6 tetor, konfirmoi gjetjet e laboratorëve të specializuar në Gjermani, Francë dhe Suedi se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor nga grupi Noviçok.
Gjermania dhe Franca akuzuan Rusinë për dështim në hetimin e plotë të rrethanave të helmimit të Navalnyt në një deklaratë të përbashkët më 7 tetor të ministrave të jashtëm.
Është e paqartë nëse ministrat e jashtëm të BE-së do të bien dakord mbi sanksionet në këtë takim apo do ta shtyjnë vendimin për një datë të mëvonshme.