Lajçak: Pretendimet se BE është kundër hapjes së Urës së Ibrit janë çorientuese

E publikuar: 14/08/2024 23:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Miroslav Lajçak Foto: Infosot

Miroslav Lajçak Foto: Infosot

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore të Ibrit janë çorientuese.

Përmes një reagimi në platformën “X”, Lajçaku ka thënë se BE-ja vazhdimisht ka thënë se çështja e hapjes së urës duhet të diskutohet në dialog mes Kosovës dhe Serbisë.

“BE-ja ka theksuar vazhdimisht se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar pozicionin e saj janë çorientuese”, ka shkruar ai.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në negociatat me Serbinë, ka shkruar në “X” se BE-ja është duke kërcënuar me vendosjen e masave shtesë ndaj Kosovës po qe se zbatohet marrëveshja e ndërmjetësuar nga vetë ajo.