I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka qëndruar sot për vizitë në Serbi, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimit me Vuçiqin, Lajçak ka thënë se kanë diskutuar për një zgjidhje politike që do të ulte tensionet në veri të Kosovës dhe do të mundësonte largimin e barrikadave.
Vazhdova misionin tim sot në Beograd, ku u takova me presidentin Alkesandar Vuçiq. Ne patëm një diskutim të hapur dhe të ndershëm për një zgjidhje politike që do të ulte tensionet dhe do të mundësonte largimin e barrikadave. Ai e kupton seriozitetin e situatës”, ka shkruar Lajçak.
Kujtojmë se Lajçak dje ishte për vizitë në Prishtinë, ku u takua me kryeministrin Albin Kurti.
Pas takimit me Kurtin, i dërguari i BE-së për dialogun tha se preferon rrugën diplomatike për heqjen e barrikadave në veri, dhe jo përmes buldozerëve.
” Unë nuk mendoj se kemi llogari që të presim për të ndodhur diçka e keqe. Tensionet nuk i ndihmojnë askujt, dhe nuk mendoj që ndonjë njeri normal është i lumtur me këtë situatë në veri”, deklaroi Lajçak në Prishtinë.