Miroslav Lajçak Foto: Infosot
Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi pas dy ditësh do ta përfundojë mandatin. Në një interviste për RTS( Radiotelevizioni i Serbisë), ai ka thënë se BE-ja do të jetë e angazhuar në procesin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje në mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak thotë se vetë Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, do të përfshihet në këtë çështje, bashkë me Peter Sorensen, pasardhësi i Lajçak në këtë pozicion.
Siç tregon Lajçak pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë që mbahen më 9 shkurt, do të ketë një propozim për Kosovën dhe Serbinë.
“Ne kemi një analizë shumë të mirë të situatës dhe e dimë shumë mirë se, sidomos që nga vjeshta e vitit të kaluar, që kur Kosova hyri në fushatë zgjedhore, duhet të merremi me çështje specifike. Ne patëm tre takime të kryenegociatorëve gjatë vjeshtës dhe dimrit. U ulëm me orë të tëra dhe folëm shumë konkretisht për një sërë çështjesh. Ne po përgatitemi që BE-ja të fillojë bisedimet në nivelin më të lartë pas zgjedhjeve në Kosovë. Përfaqësuesja e re e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaia Kallas, e ka bërë të qartë se do të jetë e përfshirë drejtpërdrejt dhe se dëshiron të udhëheqë procesin. Po përgatitet një qëndrim i BE-së, një propozim për të dyja palët. Sigurisht, nuk mund të flas për këtë më në detaje tani. Pasardhësi im, Peter Sorensen, i cili është një diplomat me përvojë dhe e njeh mirë Ballkanin, do të jetë aty për të ndihmuar Kaja Kallas në këtë punë”, ka thënë Lajçak.
Në këtë proces shpesh angazhohet edhe SHBA-ja, ndonëse jo si ndërmjetësuese gjatë Administratës Biden. Por, në vitin 2020 nën iniciativën e Donald Trump Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar një marrëveshje ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.
Tashmë Donald Trump është rikthyer në pushtet, poqë Lajçak thotë se ka dallim në mes “Trump 1”, dhe “Trump 2”, duke shtuar se është e rëndësishme që të vendosen kontakte në mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-së për çështje që lidhen me Ballkanin Perëndimor.
“Nuk do të doja të hyja në spekulime. Mund të shihet se “Trump 2” është ndryshe nga “Trump 1”, se puna është shumë më mirë e organizuar dhe se njerëzit e dinë se çfarë duan të arrijnë. Prandaj, përvojat nga administrata e mëparshme nuk mund të transferohen mekanikisht. Së dyti, ka vetëm një perspektivë pozitive për Ballkanin, ajo është perspektiva evropiane. Amerikanët, demokratë dhe republikanë, e dinë këtë dhe ata kurrë nuk e kanë mohuar se roli i tyre është të ndihmojnë me këtë. Unë pres që të jetë kështu në muajt e ardhshëm. Është e rëndësishme të vendosen kontakte në nivelet e BE-së dhe SHBA-së sa më shpejt të jetë e mundur dhe të arrihet një marrëveshje për një qasje të përbashkët ndaj Ballkanit Perëndimor, ku BE-ja duhet të udhëheqë, për arsye objektive, por të jetë në gjendje të mbështetet në mbështetjen dhe mirëkuptimin. të Amerikës”, ka thënë Lajçak.