Miroslav Lajçak Foto: Infosot
Miroslav Lajçak së shpejti do ta lë postin e emisarit special të BE’së për Ballkanin Perëndimor dhe ndërmjetësit të dialogut Kosovë -Serbi. Tashmë është bërë e ditur se BE e ka nominuar për Ambasador në Zvicër ndërsa vet Lajçak zbulon se mandati i tij skadon më 31 gusht.
“Ka qenë gjithmonë e qartë sepse mandati i përfaqësuesve specialë të BE-së është i barabartë me mandatin e ambasadorëve të BE-së, i cili zgjat katër vjet. Pra, ekziston një rregull që përfaqësuesit specialë nuk mund të qëndrojnë më shumë se katër vjet. Unë sapo kam filluar vitin e pestë dhe mandati im përfundon më 31 gusht” ka thënë sllovaku.
“Nuk ka pasur kurrë një debat, nuk kam planifikuar asnjëherë të largohem apo të mbetem më gjatë. Është e logjikshme që me lidershipin e ri të Bashkimit Evropian, është gjithashtu mirë që të fillojë një fazë e re e procesit. Pra, deri më 31 gusht, jam plotësisht përgjegjës dhe plotësisht i përkushtuar ndaj këtij procesi”, ka shtuar tutje emisari.
Duke folur rreth emisarit/ ndërmjetësit të ri që pritet të marrë pozitën ish- kryediplomati sllovak thotë se nuk i takon atij të flas. Lajçak thotë se e njeh mirë ish- presidentin slloven Borut Pahor që ka shfaqur ambicie për ta marrë detyrën.
“Unë nuk do të jem pjesë e përzgjedhjes së pasardhësit tim, ndaj nuk duhet të bëj deklaratë. Por, padyshim, unë e njoh Presidentin Pahor për shumë vite. Ne jemi takuar dhe kemi diskutuar për situatën në Ballkanin Perëndimor në disa raste, e di që ai është shumë i interesuar për rajonin dhe gjithashtu me shumë njohuri. Pra, sigurisht, ky është një faktor shumë i rëndësishëm. Kjo është ndoshta aq sa mund të them në këtë pikë”.