Lajçak i shkruan Thaçit për dialogun me Serbinë, thotë se do të fillojë punën e tij pas tejkalimit të krizës së pandemisë COVID-19

E publikuar: 10/04/2020 12:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i ka dërguar një letër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për t’i kërkuar bashkëpunim në dialogun me Serbinë, ndërsa ia ka bërë të ditur se do të fillojë punën e tij sa i përket dialogut pas tejkalimit të krizës së pandemisë COVID-19.

Lajçak për të cilin presidenti Thaçi kishte vërejtje si ndërmjetësues i dialogut për shkak të qasjes kundër pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, në letrën e tij nuk përmend hapa konkret sa i përket dialogut.

“Jam i bindur që me vullnet politik të të dyja palëve mund t’i arrijmë qëllimet në dialog, për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Lajçak në letrën e tij, shkruan Telegrafi.

Lajçak përmend si një hap të mirë heqjen e tarifës për produktet nga Serbia. Diplomati sllovak thotë se caktimi i tij në këtë rol është sinjal i riangazhimit të BE-së në dialog.

Tutje, Lajçak në këtë letër flet edhe për krizën e shëndetit publik për shkak të pandemisë Covid-19, duke përmendur asistencën prej 5 milionë eurosh të BE-së për Kosovën.

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tutje në letër i ka bërë të ditur presidentit Thaçi se do të fillojë punën e tij sa i përket dialogut pas tejkalimit të krizës së pandemisë së coronavirusit.

“Unë e kam për qëllim që të ju takoj juve dhe të gjithë lidershipin e Kosovës sa më shpejtë që është e mundur, dhe të shkëmbejmë pikëpamjet në rrugën përpara”, ka shkruar Lajçak.