Instituti i Mjekësisë Ligjore ka konfirmuar sot zyrtarisht për infosot.com se Laboratori i Toksikologjisë është jashtë funksionit tash e disa muaj.
Ky laborator, i domosdoshëm për analizat toksikologjike në rastet e vdekjeve të dyshimta, është jashtë përdorimit për shkak të renovimit të hapësirave të objektit të IML-së.
Njoftimi i plotë:
Pas pyetjeve dhe kërkesave të shumta që kanë ardhur në adresë të Institutit për Mjekësinë Ligjore (IML) në lidhje me Laboratorin e Toksikologjisë, ju njoftojmë se Laboratori i Toksikologjisë në IML është jashtë funksionit për shkak të procesit të renovimit në te gjitha hapësirat e brendshme të objektit të IML-së, përfshirë dhe hapësiren e Laboratoreve.
Menjëhere pas përfundimit të këtij procesi në shtator, do të bëhet servisimi dhe kalibrimi i pajisjeve dhe aparaturave laboratorike, në mënyrë që të sigurohet analizimi i mostrave sipas standardeve të kerkuara.
Duke marrë parasysh natyrën jashtëzakonisht të ndjeshme të pajisjeve, si dhe kompleksitetin teknik të sistemit të gazrave i cili përdoret në këtë laborator, zhvendosja e tyre në një hapësirë tjetër gjatë kësaj periudhe ka qenë e pamundur.
Gjithsesi, gjatë kësaj periudhe kohore të mosfunksionimit të laboratorit, me urdhëresë të prokurorëve përkatës, një numër i caktuar i mostrave janë dërguar dhe do të dërgohen për analizim toksikologjik në vendet e rajonit dhe Evropës.


















