Nuk i quaj kurrsesi tradhëtarë, se fundja do të përfaqësojnë një pjesë toke shqiptare, pavarësisht simboleve e flamurit që mbajnë (e tillë erdhi situata), por mënyra e largimit lë shumë për të dëshiruar. Suksesi i Albert Bunjakit nuk matet me sa lojtarë do të ndërrojnë fanellën kuqezi me atë të Kosovës, por sa lojtarë me gjak shqiptari prej Kosove do të heqin nga shtati fanellat e Zvicrës, Suedisë, Norvegjisë etj.
Nga Florent Hoxha
Nuk mërzitem se Bersant Celina, Bernard Berisha, Leart Paqarada, Avni Pepa e Enis Alushi me disa të tjerë përfaqësojnë Kosovën, kur kishin mundësi të luanin edhe për Shqipërinë. Me pastërti dhe sinqeritet kanë deklaruar që në fillim se do të japin ndihmesën e tyre për tokën shqiptare, që ka përfaqësuesen e vet të futbollit. Kjo është e ndershme dhe madje për t’u lavdëruar.
Por, të ikësh nga trungu mëmë për teka dhe pakënaqësi prej aktivizimit në kombëtaren e Shqipërisë, si puna e Milot Rashicës, Herolind Shalës, Alban Mehës e më parë dhe Samir Ujkanit, pa shkuar deri te karagjozllëqet e Mërgim Brahimit e Loret Sadikut, kjo nuk është serioze dhe tregon karakter të dobët të të lartpërmendurve.



















