Ky është togeri i suspenduar për mashtrim me orë shtesë – Punonte si sigurim i Ledri Vulës e përfitonte nga kuleta e shtetit

E publikuar: 09/05/2024 21:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka suspenduar nga puna zyrtarin policor Agron Ademi.

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tij, pasi ai është zënë duke mashtruar me orët shtesë në punë.

Gazeta Insajderi përmes burimeve ka mësuar se arsyeja e suspendinit te togerit eshte se ai ka punuar edhe si sigurimi i reperit të njohur Ledri Vula. Këtë shërbim ai e ka shënuar si orë shtesë për të marrë pagesa ekstra nga policia.

Zyrtari i dyshuar që ishte objekt i hetimit nga Inspektorati Policor nën dyshimin për manipulim të orëve shtesë të punës ka qenë mbikëqyrës në Drejtorinë e Njësisë Speciale Intervenuese në Policinë e Kosovës.

Insajderi ka siguruar edhe një video kur polici i suspenduar shihet derisa ofron mbrojtje të afërt të këngëtarit Ledri Vula, në një paraqitje publike te tij në një qendër tregtare.

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Hetimeve, përmes një komunikate për media kishte njoftuar se i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e togerit Agron Ademi.

“Informacionet e para lidhur me këtë rast IPK i ka pranuar nga Policia e Kosovës përderisa është duke kryer një hetim preliminar me dyshimin për manipulim të orëve shtesë të punës në drejtim të veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.” – thuhet në njoftimin e IPK’së.