Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.
Aktakuza është ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu, i cili përgjatë procesit të hetimeve ka zbuluar edhe një rast të spiunazhit.
Prokurori Bekim Kodraliu ka hetuar njërin prej operacioneve më të mëdha kundër korrupsionit gjatë 2024-ës, ku ishin në pyetje 2.8 milionë euro nga buxheti i Kosovës.
Kodraliu po ashtu ka qenë prokuror special i rastit të grupit Gjuraj, të akuzuar për terorrizëm.
Në pikën 3 të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Jovan Viqentijeviq nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, më 1 dhjetor 2024, i pandehuri në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.
Këto informata, sipas aktakuzës, ka pasur për qëllim t’ua komunikojë Shërbimit informativ Ushtarak të Serbisë, përmes vizitave dhe takimeve që i ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj. Këto informacione dhe dokumente, thuhet se i ka siguruar nga aktiviteti i tij i spiunimit.
“Në kuadër te dokumentacioneve, që i pandehuri i ka siguruar gjatë veprimtarisë së tij inkriminuese, janë edhe një dokument i klasifikuar si konfidencial prej 66 faqesh i përpiluar nga KFOR-i, për nevojat e operacioneve të tyre në terren, pastaj ka bërë vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it, ka fotografuar bazën e Njësive Speciale Policore të Kosovës në Jasenovik që gjendet në Komunën e Zubin Potokut”, përshkruhet tutje në aktakuzë.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për shtetin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, Viqentijeviq përmes një dokumenti të modifikuar, ka tentuar ta paraqes ekzistimin e një organizate fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare“, duke e shoqëruar me disa fotografi të eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me këto veprime, Prokuroria në aktakuzë vlerëson se tani i akuzuari seriozisht e ka dëmtuar rendin juridik dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, si dhe ushtarëve te KFOR-it.



















