Ky është presoni i arrestuar nga Policia e Kosovës, ishte në kërkim nga INTERPOL-i

E publikuar: 12/01/2026 22:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka arrestuar sot, një person të dyshuar shtetas të Republikës së Kosovës, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale.

Gazeta Insajderi mëson se i arrestuari është Elmi Thaqi.

I dyshuari ka qenë në kërkim përmes INTERPOL-it, bazuar në një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Republika e Shqipërisë.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim dhe koordinim me Stacionin Policor në Malishevë.

Autoritetet shqiptare e kërkonin Thaqin nën dyshimet për përfshirje në trafikim të narkotikëve, të kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit përmes një grupi të strukturuar kriminal. Po ashtu, ai dyshohet për futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, si dhe për kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, vepra këto të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, Elmi Thaqi është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa pritet që në ditët në vijim të vazhdohet me procedurat përkatëse ligjore, përfshirë edhe hapat e mëtejmë lidhur me ekstradimin e tij.

Kush është Elmi Thaqi

Elmi Thaqi është shtetas i Kosovës, emri i të cilit rezulton në sistemet ndërkombëtare të kërkimit policor për shkak të dyshimeve për veprimtari kriminale të organizuar ndërkufitare. Arrestimi i tij vjen si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar policor mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe angazhimit të mekanizmave të INTERPOL-it në luftën kundër krimit të organizuar.