Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtarët janë njoftuar lidhur me raportin e Listës Preliminare të Votuesve (LPV) për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Sipas KQZ-së, Lista Preliminare e Votuesve përmban 2 milionë e 67 mijë e 998 votues, ose 7 mijë e 870 votues më pak në krahasim me Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025.
Nga kjo mbledhje e cila është zhvillua në mënyrë elektronike, bëhet e ditur se numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet lokale më 12 tetor 2025 është 33 mijë e 540 votues, prej të cilëve, 26 mijë e 654 votues konsiderohen të rinj që pas Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës 2025, kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet lokale 2025 si dhe 6 mijë e 886 votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.
Ndërkaq, sipas të dhënave nga ky raport, numri i përgjithshëm i votuesve që janë larguar nga LPV pas Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës është 41 mijë e 410.
Lexo po ashtuOsmani ka udhëtuar për vizitë bilaterale zyrtare në Japoni“Ky numër përfshin 6 mijë e 276 votues të larguar si persona të vdekur, të evidentuar nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC), 340 votues të larguar për shkak të humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës, të evidentuar nga ARC, 2 mijë e 967 votues të larguar si persona të vdekur, pas krahasimit të ekstraktit të ARC me regjistrin e pranuar nga Departamenti i Pensioneve, 117 votues të larguar për shkak të marrjes së së drejtës së zotësisë së veprimit, të evidentuar nga listat e pranuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, 471 votues mbi 100 vjeç, të larguar pas krahasimit ndërmjet të dhënave të ekstraktit me të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) nga regjistrimi i popullsisë 2024 si dhe 31 mijë e 239 votues të larguar nga ARC, pasi janë kategorizuar si persona të paverifikuar — këta figurojnë në regjistrin e Departamentit për Prodhimin e Dokumenteve (DPD), por nuk figurojnë në regjistrin e Departamentit të Gjendjes Civile (DGjC)”, thuhet në raport.
Në këtë mbledhje, po ashtu KQZ mori vendim për miratimin e listës së Qendrave të Votimit në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Sipas vendimit të KQZ-së, numri i Qendrave të Votimit në 38 komuna të Republikës së Kosovës, në të cilat do të zhvillohet procesi i votimit është: 945.
Nga ky numër i përgjithshëm, 907 Qendra të Votimit do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërkaq në 38 të tjera, nga një për çdo komunë, do të shërbejnë vetëm për votimin me kusht.


















