Tani është bërë e zakonshme që qeveritë e Kosovës t’i kenë 20 a më shumë ministri, mirëpo sivjet u bë e zakonshme edhe emërimi i shumë zëvendësministrave. Ka ministri me 4 zëvendësministra, ka të tilla me 3, disa janë me dy e në një ministri ky numër mund të shkojë në 6.
Mirëpo, është vetëm një ministri e Qeverisë Haradinaj që nuk ka emëruar asnjë zëvendësministër deri tash. Bëhet fjalë për Ministrinë e Infrastrukturës e cila udhëhiqet nga Pal Lekaj.
Metro ka provuar të kontaktojë me ministrin Lekaj për të mësuar arsyen e këtij përjashtimi në qeverinë e re, mirëpo ai nuk e ka hapur telefonin.
Por Metro nga burime të saj mëson se këto emërime po vonohen në ministrinë që udhëheq Lekaj për shkak të zgjedhjeve të balotazhit. Kryeministri Haradinaj po përballet me një presion për emrat që duhet vendosur në këtë dikaster.
Sidoqoftë, Lekaj më herët ka thënë se emërimi i zëvendësave nuk është prioritet, shkruan Metro.
Ndërkohë si Lekaj nuk kanë menduar shumica e ministrave. Në secilën nga ministritë ka 2 e më shumë zëvendës të ministrit. Vetëm në atë të Arsimit, janë 4. 4 po ashtu janë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
E Ministria që pritet të ketë numrin më të madh të zëvendësministrave, është ajo e Diasporës që udhëhiqet nga Dardan Gashi. Për momentin në këtë dikaster janë 3 zëvendësa, mirëpo mësohet se aty do të bëhen 6 të tillë.
Ndryshe, Qeveria e Haradinajt ka thyer rekord për numrin e madh të ministrave dhe zëvendësministrave. Në këtë qeveri janë 21 ministra, e zëvendësa të tyre do të jenë mbi 50. Ata do të paguhen me rrogë mbi 1300 euro.

















