Ka disa javë që qytetarët e Kosovës po pranojnë një e-mail të rremë në emër të Policisë së Kosovës.
Tashmë Policia ka njoftuar qytetarët të kenë kujdes nga këto e-maile, pasi nuk janë dokumente zyrtare të Policisë
“NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-maile/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.
Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth përsëritjes së qarkullimit të e-mail-eve të tilla, po kryen hetime intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”, ka thënë Policia.
Por çfarë thuhet në ketë e-mail që po dërgohet në emër të drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha?
Një e-mail të tillë e ka siguruar edhe “Zëri”, ku në të bëhet thirrje që pranuesi të paraqitet në Polici, pasi pretendohet se keni kryer krime kibernetike, shkruan Zeri.info.
“Me kërkesë të drejtorit të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha dhe Agjencisë së Sigurisë Kibernetike të Kosovës, po ju kontaktojmë në lidhje me disa krime kibernetike dhe vepra të paligjshme të drogës të gjetura brenda hapësirës suaj kibernetike.
Disa agjenci kombëtare dhe ndërkombëtare të zbatimit të krimit kibernetik kanë identifikuar aktivitetet tuaja të paligjshme në internet, të tilla si……
* Pornografia me fëmijë.
* Homoseksualiteti.
* Pornografia në internet.
* Ekzibicionizmi.
* Seksi komercial.
* Trafikimi i drogës”, shkruhet në e-mailin e rremë.
Në fund, pranuesit të këtij dokumenti të rremë i bëhet thirrje të paraqitet në Polici ose të dërgoj një e-mail të menjëhershëm.
Policia tashmë u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e dezinformatave/mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme. /Zëri

















