Miftar Lushtaku raportohet se është 74-vjeçari që mbeti i vdekur si pasojë e përplasjes nga një veturë mbrëmjen e sotme në Skenderaj.
Mediat lokale kanë raportuar se i ndjeri kishte punuar më parë si profesor.
“Me dhimbje të madhe mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të ish-profesorit , Miftar Lushtaku. Një njeri i urtë, i përkushtuar dhe një mësues që la gjurmë të thella tek të gjithë ne. Humbja e tij është e rëndë për familjen, miqtë dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin. Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve. U prehtë në paqe”, thuhet ndër të tjera në postimin e një qytetari.
Rastin e rëndë e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti tha se në aksident janë përfshirë një veturë dhe një këmbësor.
Si pasojë e aksidentit, Zahiti tha se në vendin e ngjarjes ka humbur jetën këmbësori, rreth 74-vjeçar.
“Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Stacion Policor për procedura të mëtejme. Njësitet relevante policore, përfshirë hetuesit e aksidenteve të trafikut, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke zhvilluar hetime për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti”, tha ai.


















