Kuvendi voton të hënën për Gjykatën Speciale

E publikuar: 31/07/2015 19:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ditën e hënë, Kuvendi i Kosovës do të votojë sërish për ndryshimet kushtetuese që do ta hapin rrugën për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Vendimi për këtë është marrë të premten nga partitë politike që marrin pjesë në kryesinë e Kuvendit të Kosovës.

Mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, për të vendosur lidhur me seancën e së hënës, i ka paraprirë mbledhja e Qeverisë së Kosovës, e cila ka riproceduar në Kuvendin e Kosovës ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugën themelimit të Gjykatës Speciale për krime lufte.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se pas dështimit të votimit të ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte nga Kuvendi i Kosovës, më 26 qershor, ekzekutivi i vendit ka vendosur ta procedojë sërish.

Siç ka theksuar ai, Kushtetuta e Kosovës dhe rregullorja e punës e Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk e kufizojnë mundësinë që qeveria të riprocedojë me të njëjtat amandamente në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Arsyeja e riprocedimit të amandamenteve ndërlidhet veçmas me përmbushjen e obligimeve, të cilat i ka marrë Kosova, për ratifikimin e letrës së presidentes së Kosovës (Atifete Jahjaga) me baroneshën (Catherine) Ashton, të aprovuar me votat e mbi dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Prandaj, ne jemi të detyruar t’i zbatojmë ligjet, të cilat i aprovon Kuvendi, ndërkaq Kosova duhet të tregoj se është përgjegjëse dhe se është e zonja për t’i përmbushur zotimet e saj para komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Ai ka shtuar se votimi i amandamenteve kushtetuese në Kuvendin e Kosovës do t’i sjellë vendit përfitime afatgjata.

“Themelimi i Dhomave të Veçanta, sipas këtyre amandamenteve, është kërkesë eksplicite e partnerëve tanë strategjik, sidomos e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, theksoi kryeministri Mustafa.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shfaqur shpresën që deputetët e Kuvendit të Kosovës do të votojnë për ndryshimet kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

“Mbes me shpresë, optimizëm dhe besim të plotë që deputetët kësaj radhe do të votojnë pa ndonjë hezitim, në drejtim të asaj që ta përmbyllim edhe këtë sfidë apo bashkëpërgjegjësi të politikës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”.

Menjëherë pas riprocedimit të ndryshimeve kushtetuese nga ana e ekzekutivit në Kuvendin e Kosovës, kryesia e kësaj të fundit, ka mbajtur mbledhje, ku ishte paraparë që të përcaktohet data e mbajtjes së seancës së Kuvendit, ku do të duhet të hidhen në votim ndryshimet kushtetuese.

Partitë politike që kanë marrë pjesë në kryesinë e Kuvendit të Kosovës, kanë sjellë vendimin që kjo seancë të mbahet ditës së hënë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se seanca do të mbahet në orën dhejtë dhe ndërkohë, deputetëve do tu shpërndahen materialet e nevojshme.

“Konstatoj se Kryesia e Kuvendit ka vendosur për propozimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me riprocedimin. Propozim-amandamenti në Kushtetutën e Kosovës, t’iu shpërndahet deputetëve të Kuvendit”, theksoi Veseli.

Vendimin e kanë përkrahur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, si dhe subjektet që përfaqësojnë bashkësitë pakicë në Kuvendin e Kosovës, transmeton rel.

Kundër këtij vendimi janë shprehur partitë e opozitës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma.