Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë sot seancën plenare të radhës, pritet të votojë për herë të dytë rishikimin e buxhetit. Po ashtu, pritet të votohet për zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës.
Përveç këtyre, përpara deputetëve për shqyrtim të parë do të gjendet Projektligji për Sigurimet, ndërsa për shqyrtim të dytë janë projektligjet për Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin për vitin 2015, për Tatimin mbi vlerën e shtuar, për Tatimin në të ardhurat e korporatave dhe për Tatimin në të ardhurat personale.
Pikë e rendit të ditës është edhe kërkesa e deputetes Albulena Haxhiu, e mbështetur nga 5 deputetë nënshkrues, për debat parlamentar lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës, njoftoi shërbimi për informim i Kuvendit.