Kuvendi sot voton për qeverinë Haradinaj

E publikuar: 09/09/2017 07:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Republikës së Kosovës sot do të mbajë seancën e jashtëzakonshme me të vetmën pikë rend dite, zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka mandatuar Ramush Haradinajn nga koalicioni PAN për formimin e Qeverisë.

Seanca do të nisë punimet pasdite në ora 16:00.

Vendimi për seancë të jashtëzakonshme është marrë dje në mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit, e kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli.

Veseli është zgjedhur në krye të legjislativit në seancën e 7 shtatorit, pas shtyrjes disamujore të konstituimit të Kuvendit, si rezultat i mungesës së koordinimit të partive politike.

Ndërsa Ramush Haradinaj pritet që sot të prezantojë ekipin e tij qeverisës para Kuvendit të Kosovës, pasi është mandatuar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Por, partneri qeverisës nga radhët e komuniteteve, gjegjësisht Lista Serbe do të udhëtojë sot në mëngjes për në Beograd për udhëzimet e fundit rreth pjesëmarrjes në ekzekutivin kosovar.