Kuvendi sot diskuton për fshehjen e së vërtetës nga Serbia për fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë

E publikuar: 03/11/2020 07:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sërish sot do të mbahet seancë në Kuvendin e Kosovës.

Grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës gjatë së hënës u dakorduan që sot nga ora 15:00 të vazhdojë seanca e nisur dje me dy debate parlamentare.

Debati i parë është për vazhdimin e Qeverisë së Serbisë që të mbajë të fshehtë të vërtetën për fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë, të rrëmbyer nga ky shtet gjatë luftës gjenocidare në Kosovë, që ende konsiderohen të zhdukur.

Ndërsa debati i dytë parlamentar do të jetë në lidhje me sensibilizimin dhe masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse në luftën kundër kancerit të gjirit.

E seanca e djeshme filloi me shqyrtimin e parë të Projektligjit nr. 07/L-021 për të Drejtat Pronësore të shtetaseve të huaj në Republikën e Kosovës.

Projektligjin e ka prezantuar ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i cili duke përmendur rëndësinë e këtij projektligji, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që ta miratojnë atë.

Pas diskutimeve të përfaqësuesve të grupeve parlamentare dhe deputetëve të tjerë, projektligji nuk u hodh në votim në mungesë kuorumi.

Seanca u pajtua që shqyrtimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2020-2024, por që në dakordim me kryetarët e grupeve parlamentare, të shqyrtohet në një ditë tjetër.

Pas kësaj pike, ka filluar debati parlamentar lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në pjesën veriore të Kosovës lidhur me pengesat që u bëhen për t’u kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës, e iniciuar nga deputetja Duda Balje dhe 10 deputetëve nënshkrues, anëtarë të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.