Nisma për Kosovën sot ka mbajtur konferencë për medie, ku ka folur anëtari i Kryesisë së kësaj partie Bajram Ajeti, rreth asaj që subjekti politik i Fatmir Limajt e ka cilësuar si skandal të Kuvendit të Kosovës duke shkelur ligjin në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.
Ajeti ka thënë se “Kuvendi i Kosovës në seancën e mbajtur më 14.12.2015 nën pikën 19 të Rendit të punës, duke ndryshuar dhe aprovuar Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, i cili Ligj kur publikohet, publikohet me diçka që nuk është aprovuar”.
Mirëpo, ndaj kësaj deklarate ka reaguar zyra Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, e cila ka demantuar pretendimet e subjektit politik Nisma.
Kjo zyrë, përmes një komunikate për media, ka thënë se Nisma për Kosovën ka dezinformuar gjatë konferencës së sotme për media për Ligjin 05/L-063 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i ndryshuar dhe i plotësuar me ligjet nr. 03/L-221, nr. 04/L-116 dhe nr. 04/L-194.
“Me vëmendje përcollëm paraqitjen e anëtarit të Kryesisë të Partisë Nisma për Kosovën, ku pretendohet për gjoja skandal, përveç tjerave edhe të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për Ligjin 05/L-063 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i ndryshuar dhe i plotësuar me ligjet nr. 03/L-221, nr. 04/L-116 dhe nr. 04/L-194, miratuar në seance plenare me 14 dhjetor 2015”, thuhet në këtë reagim.
Lidhur me ketë paraqitje, Kuvendi i Kosovës e njofton publikun se pretendimet për shkelje janë “absolutisht të paqëndrueshme dhe shpifëse”, ngase me përgjegjësi deklarojmë se “ligji në fjalë i ka kaluar të gjitha procedurat e parapara me dispozitat e Rregullores se Kuvendit për procesin ligjvënës”.
Në vijim, zyra e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës ka dhënë sqarimet për rrjedhën e kalimit të këtij ligji.
“Kuvendi në seancën plenare të mbajtur me 14 dhjetor 2015, ka shqyrtuar projektligjin në lexim të dytë, dhe ka miratuar amendamentet 1, 3, 4 dhe 5, të propozuara nga Komisioni Funksional, ndërsa amendamenti 2 nuk është miratuar dhe Kuvendi ka miratuar projektligjin me amendamentet e miratuara. Teksti final i ligjit është përgatitur mbi bazën amendamenteve të miratuara në seancë plenare dhe i njëjti është proceduar për dekretim te Presidentja e Republikës se Kosovës dhe për publikim në Gazetën Zyrtare. Në rastet kur nuk miratohet amendamenti i propozuar, në tekstin final të ligjit mbetet teksti siç është në projektligj. Amendamenti 2 nuk është miratuar dhe nuk është inkorporuar në tekstin e ligjit i cili është publikuar në gazete zyrtare”, thuhet në sqarimin e Kuvendit të Kosovës.
Më tej, njoftimi i Kuvendit të Kosovës bën me dije se shqyrtimi, diskutimet dhe votimi i Ligjit nr.03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i ndryshuar dhe i plotësuar me ligjet nr.03/L-221, nr. 04/L-116 dhe nr.04/L-194 dhe amendamenteve te propozuara, mund të gjendet në Transkriptin e Seancës Plenare, të datës 14.12.2015 në linkun në vijim:
http://www.kuvendikosoves.org/common/docs/proc/trans_s_2015_12_14_10_6251_al.pdf
“Dokumentet që e demantojnë adresimin e Nismës, janë në dispozicion në Administratën e Kuvendit”, përfundon reagimi i Zyrës së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

















