Kuvendi me mungesë stafi, në komisionin për buxhet shtron kërkesën për mbi 361 mijë euro për programin e deputetëve

E publikuar: 19/02/2026 15:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi me mungesë stafi, kërkon nga komisioni për buxhet mbi 361 mijë euro për programin e deputetëve

Kuvendi i Kosovës në komisionin për buxhet ka paraqitur kërkesat e saj, e ku një nga to është buxhet shtesë për 361 mijë e 746 euro për te programi i deputetëve, pasi që siç tha sekretari, ka deputetë të legjislaturës së tetë dhe të nëntë që janë duke i marrë pagat në kalimtare, ashtu siç e parasheh ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetëve.

Ai po ashtu përmendi dhe stafin mbështetës politik, ku më 14 prill të 2023-ës Kryesia e Kuvendit kishte miratuar rregulloren për shtimin e 27 pozitave. E ku totali i këtyre 27 pozitave implikon në buxhet edhe 410 mijë e 326 euro shtesë.

“Kërkesa është e paraqitur në zbatim të legjislacionit dhe akteve nënligjore me qëllim që të plotësojmë kërkesat buxhetore apo të bëjmë zbatimin e akteve të brendshme. Kemi kërkuar te programi për deputetët 361,746 euro shtesë. Siç e dini, kemi dy legjislatura aktive, legjislaturën e 8 dhe 9, ku kemi deputet të cilët në pajtim me ligjin janë duke marrë pagë kalimtare. Dhe kemi një mungesë në këtë kategori të pagave për vitin fiskal 2026 dhe në mënyrë që të mbulojmë të gjitha pagat e deputetëve aktual, të legjislaturës së 10 dhe deri më 22 mars të legjislaturës së 8 që përfundon një njësie sipas nenit 16 të ligjit për të drejtat dhe përgjegjësit e deputetëve. Te stafi mbështetës politik kemi një rregullore që është miratuar nga Kryesia e Kuvendit më 14 prill 2023 dhe me këtë rregullore janë shtuar 27 pozita të reja: 5 këshilltarë për nënkryetar të Kuvendit, 14 nënpunës të kabinetit për kryetar të komisioneve parlamentare, 6 vozitës të grupeve parlamentare dhe dy të punësuar përkatësisht për grupin e deputetëve të rinj për forumin për transparencë parlamentare.  Domethënë, totali i këtyre pozitave të reja është 27 me një implikim buxhetor shtesë 410,326 euro duke filluar nga muaji mars, të kalkuluara vetëm nga muaji mars deri në dhjetor 2026”, tha sekretari.

Tjetër çështje ishte edhe ajo që administrata ka 213 pozita por buxhetin e kanë vetëm për 160 pozita, duke theksuar edhe se pjesa e stafit të administratës është nevojë imediate.

“Kurse në administratën e Kuvendit në buxhet i kemi 213 pozita, por buxhet për vitin 2026 kemi vetëm për 160 pozita, për të cilat jemi aktualisht, për shkak se kur është bërë projektligji i buxhetit është marrë si referencë buxheti i muajit mars 2025, në kohën kur ka përfunduar mandati i Kuvendit”, tha ai.

Sekretari ka potencuar edhe buxhetin shtesë për administratën e Kuvendit por theksoi se pjesa e stafit të administratës është nevojë imediate

“Pjesa e stafit të administratës është nevojë imediate Sot kanë filluar 11 komisione, sikur komisionet të kishin vazhduar me punë të gjatë, ne nuk kishim mujt me i mbulu. Kemi 5 përkthyes të gjuhës serbe që sigurojnë përkthimin e gjuhës shqipe në serbe dhe anasjelltas por kemi e dhe takime tjera që organizohen. Kemi mungesa dhe në staf, kemi shtim të komisioneve nga 14 në 16 dhe duhet staf shtesë. Jemi duke bërë transfere të përkohshme. Dhe kërkesa vetëm nga muaji korrik deri në dhjetor 2026 është për administratën e kuvendit 215 mijë euro shtesë të shtohen”, tha ai.