Kuvendi jep tender 69 mijë euro për pastrim me procedurë të negociuar, në kundërshtim me ligjin

E publikuar: 12/12/2025 04:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Kosovës ka nënshkruar një kontratë për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike të objektit përmes procedurës së negociuar dhe pa publikim të njoftimit të kontratës, raporton Infosot.

Kontrata që është nënshkruar më 1 dhjetor 2025, përfshin shërbime pastrimi për një periudhë gjashtëmujore me vlerë 69 mijë e 525.60 euro. Për tenderin janë tërhequr tre dosje, ndërsa ligjërisht të përgjegjshme janë vlerësuar vetëm dy oferta. Përfitues është kompania Schafberger Jr. GmbH – Dega Kosovë, e regjistruar në Gllogoc.

Edhe pse në letër figuron se janë pranuar tri oferta, procedura është klasifikuar si “e negociuar”, një formë e cila zakonisht përdoret vetëm kur nuk ka konkurrencë fare, kur tenderi dështon disa herë, ose kur ekzistojnë rrethana emergjente që e bëjnë të pamundur zbatimin e një procedure të hapur.

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, procedura e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë bëhet vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Ligji e lejon vetëm në rastet kur ekziston situatë emergjente ose e paparashikueshme, kur ka urgjencë ekstreme që nuk e lejon kohën e pritjes së procedurës së hapu, kur tenderi ka dështuar më shumë se një herë për mungesë ofertash, kur shërbimi mund të kryhet vetëm nga një operator i vetëm.

Në këtë rast, nuk ka asnjë shpjegim të detajuar pse Kuvendi nuk ka përdorur procedurë të hapur, përveç faktit që procesi është udhëhequr brenda një afati shumë të shkurtër, duke filluar nga data 11 nëntor 2025 dhe duke përfunduar me nënshkrim më 1 dhjetor.

Qeverisja e Vetëvendosjes ka qenë në thumbin e kritikës për shkak të numrit të madh të kontratave një burimore, duke detyruar edhe Prokurorinë të nis hetime.

Në praktikë, kjo formë prokurimi përdoret në rrethana jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues, si prishje e papritur e kontratës, mosfunksionim i infrastrukturës kritike, rrezik për shëndet publik apo ngjarje të paparashikueshme. Asnjëra prej këtyre nuk rezulton në dokumentacionin e Kuvendit.

Kuvendi i Kosoves, kontrata e nenshkruar (Dokument)