Kuvendi i Kosovës miraton Rezolutën që dënon agresionin rus në Ukrainë

E publikuar: 03/03/2022 11:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, teksa e ka lexuar rezolutën, ka thënë se Kuvendi i Kosovës e dënon në mënyrë të ashpër agresionin dhe pushtimin të pa provokuar dhe pajustifikuar ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe përfshirjen e Bjellorusisë në këtë agresion.

Ai gjatë fjalimit të tij ka theksuar se marrë parasysh vullnetin e fortë të popullit të Kosovës për integrim euro atlantik të Kosovës, Kuvendi e miraton këtë rezolutë.

Po ashtu ai potencoi se Kuvendi i Kosovës e sjellë në vëmendje se Serbia asnjëherë nuk është distancuar nga krimet dhe gjenocidi në Kosovë dhe ende heziton të nxjerrë para drejtësisë kriminelët e luftës.

“Kuvendi i Kosovës renditet krahas aleatëve perëndimor në mbështetje të Ukrainës dhe kundërshton fuqishëm qasjen dhe sjelljen e pak vendeve të rreshtuara krah agresionit rus ndaj Ukrainës nisur nga fqinji ynë verior, Serbia. Kuvendi e mbështetë popullin dhe e dënon vrasjen e civilëve dhe fëmijëve”, tha ai.

Po ashtu ai ka përshëndetur edhe vendimin për fillimin e hetimeve nga GJND dhe dërgimin e rastit nga Ukraina në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Kuvendi i Kosovës e mbështet edhe vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe politike nga Qeveria e Kosovës ndaj Federatës Ruse”, shtoi Konjufca.

Në anën tjetër ai tha se Kuvendi i kërkon Qeverisë që të ndajë një fond të veçantë për ndihmë ndaj popullit ukrainas.

“Po ashtu, Kuvendi kërkon nga Qeveria që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim në NATO, BE, Këshill të Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, tha ai.