Asambleja e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), me votim njëzëri ka konfirmuar vendimin për avancim të statusit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga vëzhgues në anëtar i asocuar.
Vendimi u mor gjatë Sesionit të 47-të APF-së mbajtur dje në Kigali, Ruanda, transmeton Klankosova.tv.
“Pas këtij vendimi, Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit në APF, përveç pjesëmarrjes dhe të drejtës së fjalës do të gëzojë edhe të drejtë vote në miratimin e dokumenteve të kësaj Asambleje, sikur edhe anëtarët e tjerë, si dhe një varg të drejtash të tjera të rezervuara për anëtarë të asocuar”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për media të Kuvendit të Kosovës.
“Ndërsa ngritja e statusit të Kuvendit të Republikës së Kosovës do të kontribuojë në zhvillimin e projekteve të reja të bashkëpunimit me institucionet, partnerët, vendet, parlamentet dhe qeveritë e anëtarëve të Frankofonisë”.
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës në këtë Asamble përbëhet nga deputeti Dimal Basha, udhëheqës i Delegacionit të Përhershëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës në APF, si dhe deputetët Ariana Musliu Shoshi dhe Fridon Lala, anëtarë të delegacionit.