Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 11 ankesa.
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 11 ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohen dy nga to, katër janë miratuar pjesërisht, katër janë refuzuar, një është shpallur e patrajtueshme, kurse tetë ankesa është vendosur të shtyhen për shqyrtim në mbledhjen tjetër.
Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç janë Kapitulli II – Raportimi i së vërtetës dhe Kapitulli IV – E drejta për t’u përgjigjur.
Me votat “për” të të gjithë 13 anëtarëve të pranishëm, KMShK ka miratuar ankesën e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kundër Zeri.info për shkrimin ”Festivali i Këngës mban konferencë tinëz, marrin pjesë vetëm gazetarët e RTK-së”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës. Kapitulli II ka të bëjë me raportimin e të vërtetës, kurse Kapitulli IV me të drejtën për t’u përgjigjur.
Po ashtu, me pesë vota “për” e katër “kundër”, KMShK ka miratuar ankesën e Rilind Gërvallës kundër Nacionale.com për shkrimin ““Nuk ka RTK kanal të dedikuar për Kuvendin, papjekuri politike”: Rilind Gërvalla i përgjigjet opozitës”, duke konstatuar se bie ndesh me Kapitullin II të kodit të etikës.
KMShK me votat “për” të të gjithë anëtarëve të pranishëm ka miratuar pjesërisht ankesën e Valon Zymberit, përfaqësuar nga avokati Agon Rrecaj, kundër Insajderi.org për shkrimin “Të zëshëm për tenderët njëburimorë, LDK’ja hesht për tenderin milionësh që Termokosi ia dha biznesmenit që mbështeti Përparim Ramën në fushatë”, duke konstatuar se raportimi bie ndesh me Kapitullin IV që ka të bëjë me të drejtën për t’u përgjigjur dhe pjesërisht me Kapitullin II të kodit të etikës.
Po ashtu, KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e “All Zone” sh.p.k. përfaqësuar nga avokati Agon Rrecaj kundër Insajderi.org, për të njëjtin shkrim, duke konstatuar se raportimi bie ndesh me Kapitullin IV dhe pjesërisht me Kapitullin II të kodit të etikës.
KMShK me votat “për” të të gjithë anëtarëve të pranishëm ka miratuar pjesërisht ankesën e “MEDI Premium” sh.p.k kundër Jepize.com dhe Veriu.info për shkrimin “Ankohet punëtori i ndërtimtarisë që është edhe kryefamiljar: Punova tek ‘”Medi Premium’, në fund të muajit nuk më pagoi”, duke konstatuar se bie ndesh me Kapitullin IV të kodit të etikës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur.
Pjesërisht, me votat “për” të të gjithë anëtarëve të pranishëm, KMShK e ka miratuar edhe ankesën e Naim Gashit kundër Paparaci.com, për shkrimin “AKA ia lejon ‘Rezonancës’ 50 studentë më shumë sesa UP-së në Infermieri”, duke konstatuar se bie ndesh me Kapitullin IV të kodit të etikës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur.
KMShK, me nëntë vota “për” dhe katër “kundër”, ka refuzuar ankesën e Taulant Hodaj dhe Hodaj& Partners sh.p.k. kundër Albanianpost.com për shkrimet “Agim Ademi ia ndau sekretarit të vet mbi 56 mijë euro” dhe “Ekskluzive: Agim Ademi i paguan të gjithë”, duke konstatuar se nuk bien ndesh me kapitujt II dhe IV të kodit të etikës.
KMShK me votat “për” të të gjithë anëtarëve të pranishëm ka refuzuar ankesën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kundër Insajderi.org për shkrimin ““Ka injoruar ofertat për afro 1 milionë euro me të lira”, ngriten dyshime për diskriminim në tenderin mbi 3 milionësh të MASHT”, duke konstatuar se nuk bien ndesh me kapitujt II dhe IV të kodit të etikës.
KMShK me votat “për” të të gjithë anëtarëve të pranishëm ka refuzuar ankesën e Rilind Gërvallës kundër Nacionale.com për shkrimin “’Dosti’ iu rehatua si U.D drejtor në RTK: A ia pa hairin Fadil Hoxha afërsisë me Rilind Gërvallën?”, duke konstatuar se nuk bie ndesh me Kapitullin II të kodit të etikës.
Po ashtu, KMShK me votat “për” të të gjithë anëtarëve të pranishëm ka refuzuar edhe ankesën e Leutrim Sahitit kundër Gazetaexpress.com për shkrimin “Për shkak të paaftësisë së Donika Gërvallës i ‘vihet dryni’ Ministrisë së Jashtme – ndërpritet kontrata për dërgesa diplomatike”, duke konstatuar se nuk bien ndesh me Kapitullin II të kodit të etikës.
KMShK e ka shpallur të të patrajtueshme ankesën e Ganimete Qeriqit kundër Radiokosovaelire.com, pasi që për një ankesë të tillë ka vendosur sipas vendimit numër 1687 dhe çështja konsiderohet e gjykuar
Po ashtu, KMShK ka marrë vendim që ankesa e Gafurr Dugollit kundër Nacionale.com dhe Radiokosovaelire.com për shkrimet “Tenderi i negociuar 2.1 milionë për ushqim: Gafurr Dugolli e nisë punën me skandal në Ministri të Mbrojtjes” dhe “Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci kërkon shkarkimin e sekretarit, Gafurr Dugolli” të shqyrtohet në mbledhjen e radhës. Për mbledhjen e radhës është shtyrë edhe shqyrtimi i shtatë ankesave të Fahri Shabanit kundër Veriu.info.