Punëtorët e kompanisë Abi Center nga Prizreni janë në hall. Atyre u duhet të zgjedhin nëse duhet të largojnë kolegët e tyre nga puna ose të nënshkruajnë zbritjen e pagave për 20 për qind.
Drejtuesit e Abi Center si pasojë e performancës jo të kënaqshme që ka pasur biznesi vitin e kaluar kanë shpërndarë tek punëtorët një dokument me këto alternativa.
“Për shkak të rënies së qarkullimit vjetor në njësinë punuese “Tekstil” të Abi Center, punëtorëve u propozojmë dy opsione për tejkalimin e gjendjes së krijuar”, shkruan në këtë dokument, të cilin e posedon Gazeta Fjala.
Opsioni i parë që u është ofruar atyre është ulja e pagave të punëtorëve nga 20 për qind, kurse opsioni i dytë është zvogëlimi i numrit të punëtorëve (nga dy punëtor në ndërrim).
Në rast se punëtorët vendosin të rrumbullakojnë opsionin e dytë atëherë ata kërkojnë që të deklarohen se cili nga punëtorët duhet të largohet nga puna.
Në listë figurojnë 32 emra të punëtorëve.