Kushtetuesja: Seanca konstituive e Kuvendit nuk ka përfunduar

E publikuar: 30/09/2025 16:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar sot se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar.

Gjykata Kushtetuese ka vendos që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Sipas këtij vendimi të Gjykatës, seanca konstituive e Kuvendit duhet të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi.

“TË DEKLAROJË, kërkesën të pranueshme; TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi”, thuhet në njoftim.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 30 shtator 2025 vendosi përkitazi me kërkesën KO265/25, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Procesverbaleve të seancave të Kuvendit të Kosovës”, si dhe vendimeve të nxjerra në kuadër të Seancës Konstituive më 26 dhe 28 gusht 2025, të parashtruar nga Igor Simic dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.