Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PDK-së për pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë

E publikuar: 27/03/2026 22:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të papranueshme kërkesën e paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila kishte kontestuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, lidhur me një vendim të Zyrës së Rregullatorit për Energji – për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Rasti lidhet me njoftimin publik të ZRRE-së të datës 12 mars 2025, që parashihte vazhdimin e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë, duke obliguar konsumatorët jo-familjarë që nuk i plotësojnë kriteret për shërbim universal të kalojnë në tregun e lirë.

PDK-ja kishte iniciuar padi për anulimin e këtij vendimi dhe njëkohësisht kishte kërkuar pezullimin e zbatimit të tij përmes një mase të përkohshme.

Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, PDK pretendoi shkelje të të drejtave themelore, përfshirë të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, duke u thirrur në Kushtetutë dhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas tyre, vendimet gjyqësore kishin qenë të paarsyetuara dhe të bazuara në interpretim të gabuar të ligjit.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese konstatoi se kërkesa është “qartazi e pabazuar”.

Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se: Gjykatat e rregullta kishin dhënë interpretime të arsyeshme dhe jo arbitrare të ligjit; vlerësimi i provave dhe fakteve është kompetencë ekskluzive e gjykatave të rregullta; vendimi i Gjykatës së Apelit përmbante arsyetim të mjaftueshëm, duke trajtuar çështjet thelbësore të ngritura nga pala kërkuese.

Ky është vendimi i plotë:

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me njoftimin publik të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) të 12 marsit 2025 mbi vazhdimin e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, përmes të cilit konsumatorët jofamiljarë që nuk plotësonin kriteret për shërbim universal duhet të kalonin në tregun e lirë. Parashtruesi i kërkesës (PDK), ushtroi padi në Gjykatën Themelore për anulimin e vendimit të ZRRE-së që refuzonte kundërshtimin e tyre administrativ, duke kërkuar njëkohësisht shtyrjen e ekzekutimit të këtij njoftimi/vendimi. Parashtruesi pretendoi se ky proces do t’u shkaktonte bizneseve dhe qytetarëve dëme të mëdha dhe të pariparueshme financiare. Gjykata Themelore, përmes Aktvendimit të 4 korrikut 2025, e refuzoi kërkesën për masë sigurie (shtyrje të ekzekutimit) me arsyetimin se nuk ishin plotësuar kushtet ligjore dhe se liberalizimi nxit konkurrencën. Ky vendim u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit më 30 korrik 2025, e cila vlerësoi se dëmi i pretenduar monetar mund të kompensohet nëse vërtetohet paligjshmëria në fund të procesit.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, i janë shkelur të drejtat themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të drejtat e Njeriut, si dhe nenet 32, 54 dhe 119 të Kushtetutës. Shkeljet i argumenton si rezultat i: (i) zbatimit të gabuar të ligjit dhe (ii) mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor, veçanërisht lidhur me mospërfshirjen e raporteve të ZRRE-së dhe opinionit të Avokatit të Popullit në vlerësimin e gjykatave.

Gjykata, pasi konfirmoi aplikueshmërinë e nenit 31 të Kushtetutës për këtë procedurë paraprake, shqyrtoi pretendimet e parashtruesit. Lidhur me pretendimin për (i) zbatim të gabuar të ligjit, Gjykata vlerësoi se interpretimet e gjykatave të rregullta mbi kriteret e nenit 100 të LKA-së nuk ishin arbitrare apo qartazi të paarsyeshme, duke theksuar se vlerësimi i provave është kompetencë e gjykatave të rregullta. Për sa i përket (ii) mungesës së arsyetimit, Gjykata gjeti se Gjykata e Apelit i kishte adresuar çështjet thelbësore dhe kishte dhënë arsye pse kriteret për masë sigurie nuk ishin plotësuar. Si rezultat, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese. Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se kërkesa duhet të shpallet e papranueshme në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.