Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pranueshme kërkesën e parashtruar nga kryeministri Albin Kurti dhe shefja e GP të VV-së, Arbërie Nagavci dhe ka konstatuar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit nuk prodhon asnjë efekt juridik.
Kushtetuesja u ka dhënë afat 34 ditë deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri.
Në rast se kjo s’ndodh, atëherë Gjykata ka vendosur që brenda 45 ditësh vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Pjesë nga vendimi:
Gjykata, njëzëri, vendosi:
I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
II. TË KONSTATOJË që Dekreti [nr.24/2026] i 6 marsit 2026 i Presidentes së Republikës së Kosovës nuk prodhon asnjë efekt juridik;
III. TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi kanë tridhjetë e katër (34) ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës ;
IV. TË KONSTATOJË që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
V. TË KONSTATOJË që Vendimi i Gjykatës për vendosjen e masës së përkohshme, i 9 marsit 2026 shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;
VI. T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
VII. TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
VIII. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.



















