Kushtetuesja: Kuotat gjinore në Ligjin për zgjedhje janë në përputhje me Kushtetutën

E publikuar: 26/12/2024 15:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Kushtetuese ka vendosurqë kuotat gjinore prej së paku 30% në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

Këtë kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 28 (Kuotat gjinore) të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme e ka parashtruar Avokati i Popullit.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur në rastin KO15/24 lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 28 (Kuotat gjinore) të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, të parashtruar nga Avokati i Popullit, bazuar në përcaktimet e nënparagrafit 1 të paragrafit 2 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Kushtetuesja.

Gjykata me tetë vota për dhe një kundër ka vendosur që të deklarojë kërkesën e pranueshme; ndërsa njëzëri, që të konstatojë që neni 28 (Kuotat gjinore) i Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, nuk është në kundërshtim me nenin 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Aktgjykimi fillimisht sqaron që thelbi i çështjes së ngritur para Gjykatës, ndërlidhet me nenin 28 (Kuotat gjinore) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, dhe i cili përcakton që (i) në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë (30%) përqind janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30%) përqind janë femra, me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku një herë në secilin grup prej tre (3) kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë; (ii) kjo dispozitë nuk aplikohet te listat e përbëra nga një apo dy kandidatë; dhe (iii) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndanë fonde publike shtesë, në vlerën një përqind (1%) të shumës së përgjithshme të alokuar për subjektin politik, për secilin mandat të fituar nga gratë mbi kuotën tridhjetë përqind (30%) në momentin e certifikimit dhe që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon pas çdo palë zgjedhje buxhet shtesë për këtë qëllim”.

Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Kushtetuesja tha se Avokati i Popullit konteston kushtetutshmërinë e nenit të lartcekur të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, me pretendimin që i njëjti është në kundërshtim me parimet dhe vlerat e përcaktuara në nenet 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 45 [Të drejtat zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës.

Kushtetuesja tha se kjo duhet gjithashtu të vlerësohet në dritën e vlerave e parimeve kushtetuese, sipas të cilave Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore “si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë dhe mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore”.

Për më tepër, Aktgjykimi thekson që bazuar në përcaktimet kushtetuese, përkundër që të gjithë janë të barabartë para ligjit, parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë dhe masat e tilla zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.