Kushtetuesja konstaton se s’kishte shkelje në aktgjykimin e Supremes, me të cilin u konfirmua degradimi i gjykatëses

E publikuar: 23/03/2024 09:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Kushtetuese e ka deklaruar si të papranueshme kërkesën e parashtruar nga gjykatësja Naime Krasniqi–Jashanica për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme, me të cilin është vërtetuar vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për degradimin e saj të përhershëm në Departament të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kushtetuesja ka konstatuar se nuk ka shkelje në aktgjykimin e Supremes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përmes aktgjykimit të marrë më 22 gusht 2022, Supremja kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e gjykatëses Krasniqi-Jashanica, ndërsa kishte konfirmuar vendimin e KGJK-së.

KGJK më 28 korrik 2022 kishte nxjerrë vendim për degradimin e përhershëm të gjyqtares Krasniqi- Jashanica, nga Departamenti i Krimeve të Rënda, në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Me aktvendimin e 18 janarit 2024, Gjykata Kushtetuese ka gjetur se parashtruesja e kërkesës nuk kishte arritur të ngrejë në nivel kushtetutshmërie shkeljen e pretenduar për aplikim arbitrar të ligjit nga ana e Gjykatës Supreme.

Sa i përket pretendimit të dytë për mungesë të arsyetimit të vendimit gjyqësor, Kushtetuesja konsideron se Supremja, nëpërmjet aktgjykimit kishte adresuar të gjitha pretendimet thelbësore të cilat ishin ngritur nga parashtruesja e kërkesës nëpërmjet ankesës së ushtruar kundër vendimit të KGJK-së.

Ndaj gjykatëses Naime Krasniqi-Jashanica ishte ngritur procedurë disiplinore në lidhje me mosprocedimin në kohë të një lënde penale dhe për të hetuar shkeljet e supozuara disiplinore, KGJK-ja kishte caktuar një panel hetimor.

Paneli hetimor i kishte propozuar asaj një marrëveshje vullnetare, e cila përmbante disa kushte dhe si kompromis, nëse e njëjta do e pranonte fajësinë, do t’i shqiptohej asaj një vërejtje jopublike me shkrim. Propozimi u pranua nga gjykatësja por jo edhe nga KGJK.

Këshilli vlerësoi se masa e propozuar ishte joproporcionale me shkeljet disiplinore të shkaktuara nga ajo. Për rrjedhojë, KGJK mori vendim për transferimin e saj nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departamentin e Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Parashtruesja e kërkesës më pas e kishte apeluar vendimin e KGJK-së në Gjykatën Supreme, dhe kjo e fundit e kishte refuzuar ankesën e saj, si të pabazuar.

Andaj, në kërkesën me të cilën iu drejtua Kushtetueses, gjykatësja pretendoi se aktgjykimi i kontestuar i Supremes në ndërlidhje me vendimin e KGJK-së, kanë shkelur të drejtat e saj të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si rezultat i (i) aplikimit arbitrar të ligjit nga KGJK dhe i (ii) mungesës së arsyetimit të aktgjykimit nga ana e Supremes.

Gjykata pasi analizoi pretendimin e parë dhe duke aplikuar praktikën gjyqësore të GjEDNJ-së dhe të sajën, konstatoi se në rrethanat e rastit konkret parashtruesja e kërkesës në të vërtetë nuk kishte arritur të ngrejë në nivel kushtetutshmërie shkeljen e pretenduar për aplikim arbitrar të ligjit nga ana e Gjykatës Supreme.

Në këtë kontekst, Kushtetuesja vlerësoi se nuk është përmbushur kriteri përjashtues, kur interpretimi i normës së ligjit të aplikueshëm nga ana e autoritetit publik mund të ketë qenë qartazi i gabuar dhe të ketë rezultuar kësisoj në konkluzione arbitrare apo qartazi të paarsyeshme.

Sa i përket pretendimit të dytë për mungesë të arsyetimit të vendimit gjyqësor, Gjykata pasi shtjelloi parimet e përgjithshme dhe i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret, konsideroi se shkalla e tretë, nëpërmjet aktgjykimit të saj kishte adresuar të gjitha pretendimet thelbësore të cilat ishin ngritur nga parashtruesja e kërkesës nëpërmjet ankesës së ushtruar kundër vendimit të KGJK-së.

“Gjykata tutje shtjelloi se fakti se Gjykata Supreme është pajtuar me mënyrën e zbatimit të së drejtës materiale dhe mënyrën e vlerësimit të fakteve nga ana e KGJK-së, nuk përbën në vetvete një pretendim të argumentueshëm për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë. Në këtë kontekst, Gjykata theksoi se kur ngritën pretendime për mungesë të arsyetimit të vendimit gjyqësor, parashtruesit e kërkesave në mënyrë specifike duhet t’i argumentojnë supozimet e tyre për shkelje të kësaj të drejte, duke qartësuar se cili pretendim i ngritur nga ta nuk është adresuar nga gjykata respektive dhe pse marrja në konsideratë e atij pretendimi ishte thelbësore dhe me peshë për të marrë një vendim tjetër nga gjykata që ka vendosur për çështjen”, thuhet në vendim.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Kushtetuesja konkludoi se pretendimet e gjykatëses përkitazi me shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë, si rezultat i aplikimit arbitrar të ligjit nga KGJK i takojnë kategorisë së parë të pretendimeve që kategorizohen si pretendime të natyrës së “shkallës së katërt”, dhe si të tilla të njëjtat, në baza kushtetuese, shpallen qartazi të pabazuara.

Po ashtu, thuhet se pretendimet e saj përkitazi me shkeljen e të drejtës për vendime të arsyetuara nga Gjykata Supreme, të garantuara me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës dhe paragrafin 1, të nenit 6 të KEDNj-së, i takonin kategorisë së tretë të pretendimeve të pambështetura ose të paarsyetuara, andaj si të tilla, në baza kushtetuese shpallen qartazi të pabazuara.

Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, u deklarua e papranueshme, në pajtim me nënrregullin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.