Kushtetuesja ende pa vendim për rritjen e pagave për kryeministrin dhe vartësit e tij

E publikuar: 05/04/2018 15:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ende nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me lëndën për vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave për kryeministrin dhe vartësit e tij.
Lënda në Kushtetuese është dërguar nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Edhe pse kjo lëndë është dërguar në Kushtetuese në fund të muajit janar, institucioni më i lartë për interpretimin e Kushtetutës së Kosovës ende nuk ka marrë vendim, madje ata nuk kanë dhënë ndonjë afat kohorë se kur mund të përfundojë shqyrtimi i saj.

“Kjo lëndë është aktualisht në fazën e shqyrtimit dhe Gjykata ende nuk ka marrë vendim. Sapo të merret vendimi, për këtë do të njoftohen të gjitha palët e përfshira në rast dhe i njëjti do të publikohet edhe në ueb-faqen e Gjykatës”, ka thënë për lajmi.net, Veton Dula Drejtor i Zyrës për Komunikim dhe Informim, në Gjykatën Kushtetuese.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritje të pagave për kryeministrin dhe vartësit e tij, kishte ngjallur reagime të mëdha në vend.

Ky vendim ishte cilësuar si anti ligjor edhe nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Qeveria e Kosovës, pas dërgimit të lëndës në gjykatë nga Vetëvendosje, kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit për rritje të pagave.

Për këtë vendim në Prishtinë ishin organizuar edhe protesta, e si shenjë simbolike Haradinajt i ishin lënë para objektit të Qeverisë një numër i madh i kravatave, pasi kryeministri në arsyetimin e tij, për vendimin që t’ia rrisë pagën vetës, kishte thënë se atij i duhet rritje e pagës për të blerë më shumë kravata, këmisha dhe që t’i ruhet korrupsionit.

Në bazë të vendimit për rritje të pagave për kryeministrin dhe stafin e tij, Haradinaj do të merrte pagë dyfish më të lartë se ajo që ka tani, pra paga e tij do të bëhej 2 mijë e 950 euro.

Zv/kryeministrat do të paguhen 2 mijë e 500 euro në muaj, kurse ministrat 2 mijë euro./Lajmi.net/